E "sjellë Brazilin" në Bujanoc, jep mesazh sensibilizues (foto)
Aktivisti i palodhur nga komuna e Bujanocit edhe njëherë me vetiniciativë merr aksion për sensibilizim të opinionit për ruajtjen e ambientit, me një ide shumë kreative dhe aktuale.
Nagip Taipi, autor i obeliskut nga bora NEWBORN, Shtëpisë së Pavarësisë në sheshin e Bujanocit në shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe shumë vepra tjera, tani aktiviteti i tij i radhës është punimi i logos së botërorit “Brazili 2014” në kontejner për mbeturina.
“Meqenëse jemi me një ngjarje aktuale siç është botërori ‘Brazili 2014’ unë kam punuar logon e këtij botërori. Ky punim që po vendoset në kontejner për mbeturina ka edhe mesazhin për ruajtjen e ambientit”, i tha Titullit, aktivisti Nagip Taipi.
Vlen theksuar se artisti nga Tërnoci i komunës së Bujanocit, shumicën e ideve të tij sensibilizuese dhe kreative, në praktikë i realizon pa ndihmën financiare të ndonjë institucioni apo organizate joqeveritare./Titulli.com/